Shkëndija e Tetovës sonte në Baku të Azerbejxhanit do të kërkojë të shkruaj historinë më të re në Europë. Skuadra e udhëhequr nga Jeton Beqiri do të përballet me shumë herë kampionët e Qarabag, skuadër kjo që në ndeshjen e parë të turit të tretë eliminatorë të Ligës së Kampionëve të zhvilluar në Shkup, kishte triumfuar me rezultatin minimal 1:0.
Ekipet do të zbresin në fushë në ora 18:00 sipas kohës tonë lokale, me përballjen që do të luhet në “Tofiq Bahramov Stadium”.
Tifozët e Shkëndijës, që në mënyrë të organizuar do të shohin ndeshjen në Tetovë përmes ekranit televiziv, me siguri se do të kërkojnë kualifikimin historik të skuadrës së tyre të zemrës në garat e “play-off” të Ligës së Kampionëve, por që bastet nuk ju japin shumë mundësi gëzimi, kjo pasi fitorja e mundshme e skuadrës tetovare kuotohet me notën 7.50, kundrejt asaj të Qarabag, 1.33. Barazimi eventual është kuotuar me 5.25.
Megjithatë, bastet jo gjithnjë flasin drejtë, ashtu që të shpresojmë se Shkëndija sonte do të gëzojë gjithë shqiptarët ane mbanë. (infOSport.Mk)
