Struga Trim Lum ka regjistruar edhe fitoren e 5-të me rradhë, duke mundur sot në takimin e vlefshëm të javës së 15-të, Bashkimin me shifrat 6:0, njofton “infOSport.mk”.
Futbollistët strugan në këtë ndeshje dhanë një nga performancat e tyre më bindëse të sezonit, duke mposhtur për herë të dytë këtë edicion me një fitore të thellë skuadrën nga Kumanova, pas asaj fitore 5:0 në transfertë.
Serinë e golave në takimin e sotëm e nisi kapiteni Bunjamin Shabani, pasi paraprakisht ishte anuluar një gol i Hristijan Maleskit, që megjithatë ndeshjen e mbylli me dy gola të shënuar deri në fund të takimit, ndërsa nga një gol tjetër shtuan edhe Stefan Jevtoski, Memetriza Hamza dhe rezervisti, Arbi Vosha.
Pas kësaj fitore, Struga Trim Lum numëron 38 pikë, një më pak se Vardari i vendit të parë, që në ndeshjen tjetër të ditës së sotme mposhti me rezultatin e thellë 6:1 FC Shkupin.
Java e 15-të mbyllet nesër me takimin në Tetovë midis Shkëndijës dhe Rabotniçkit. (infOSport.mk)
