Partizani ka prezantuar mesfushorin Kamer Qaka, i cili tre vitet e fundit ishte pjesë e Shkëndijës së Tetovë. Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë edhe zyrtarisht është pjesë e të kuqve, skuadër me të cilën do të provojë edhe aventurën e parë në Kampionatin Shqiptar.
Qaka i cili ka nënshkruar me të kuqtë një kontratë për një vit e gjysëm është prezantuar në ambjentet e klubit nga drejtori sportiv Agim Ibraimi.
30-vjeçari i bashkohet Partizanit pas eksperiencës pozitive te Shkëndija e Tetovës, skuadër me të cilën fitoi edhe 2 tituj kampion. Njëkohësisht ai dhuroi performanca mbreslënëse edhe në Ligën e Konferencës, ku është aktivizuar në të gjitha përballjet evropiane.
I lindur në Pejë, Qaka gjatë karrierës së tij është aktivizuar në Norvegji me klubet e Raufoss, Honefoss apo edhe Sarpsborg. Ai ka luajtur gjithashtu me Poli Iasi dhe Steauan e Bukureshtit në Rumani dhe Mezokovesd në Hungari. (infOSport.mk)
