Sedlloski: Besoj tek lojtarët dhe grupi që kam në dispozicion

Përfaqësuesen e Maqedonisë nesër e pret ndeshja e dytë në kuadër të Ligës së Kombeve. Të përzgjedhurit e trajnerit Goce Sedlloski në grupin 1 të Ligës “B” do të përballen me Slloveninë, ndeshje kjo që do të zhvillohet në stadiumin “Stozhice” në Ljublanë.

Pas humbjes nga Zvicra në Shkup, trajneri Sedlloski paralajmëroi ndryshime në formacion dhe reagim nga futbollistët e tij.

“E analizuam mirë ndeshjen me Zvicrën dhe e dimë se ku duhet t’i përmirësojmë gabimet. Lojtarët janë të përgatitur dhe pres angazhim maksimal nga të gjithë. Sllovenia është një përfaqësuese cilësore, ka marrë pjesë në Kampionatin e fundit Evropian dhe meriton respekt maksimal. Do të ketë freskim në formacion, në disa reparte“, – deklaroi Sedlloski, i cili beson tek lojtarët që ka në dispozicion, pavarësisht se mungojnë rezultatet.

“Kemi një grup të shkëlqyer, një kombinim të futbollistëve të rinj dhe me përvojë. Atmosfera është e mirë dhe të gjithë jemi të motivuar të luajmë më mirë. Unë jam përgjegjës për përzgjedhjen e lojtarëve, por prej tyre pres të tregojnë më shumë cilësi dhe karakter në fushë. Sllovenia nuk duhet të nënvlerësohet dhe duhet të jemi maksimalisht të përgatitur.” – u shpreh Sedlloski në Konferencën për shtyp të organizuar për gazetarët këtu në Ljublanë, e ku prezent është edhe “infOSport.mk”, që do të përcjellë këtë ndeshje nga vendi i ngjarjes.

Ndeshja, Slloveni-Maqedoni do luhet nesër mbrëma në stadiumin “Stozhice” me fillim në ora 20:45. (infOSport.mk)

Leave a Reply