Murinjo ka gati 250 milionë euro për Nejmar

Skuadra angleze e Mançester Junajtedit është gati të hyjë në garë për të marrë sulmuesin brazilian të PSZH-së, Nejmar, duke paguar edhe një shumë prej 250 milionë eurosh.

Lajmin e ka konfirmuar sot e përditshmja britanike “The Mirror”, sipas së cilës Murinjo është gati të bëjë çmenduri për të sjellë në “Old Trafford” yllin brazilian.

Jo vetëm kaq, por “djajtë e kuq” janë gati ta paguajnë 35 milionë euro në sezon Nejmarin për te bindur atë që të luajë në Premierligë.

Megjithatë përveç bindjes së brazilianit, Mançester Junajtedi do të ketë ta vështirë të fitojë edhe garën me Realin e Madridit, që gjithashtu e kërkon me ngulm sulmuesin brazilian, që vjet u transferua nga Barcelona te PSZH-ja për shifrën e 222 milionë eurove, rekord.

Por duket se Junajtedi është duke biseduar prej kohësh me babain e Nejmar, që është fans i ekipit të Hoze Murinjos dhe ka shumë dëshirë që djali i tij të luajë me këtë skuadër në të ardhmen.

Aktualisht sulmuesi 26-vjeçar ndodhet në Paris ku ka rinisur stërvitjen pas operacionit, por mund të largohet nga PSZH-ja pas vetëm një sezoni, për të nisur një aventurë të re. Do të jetë sërish Spanja, apo kësaj rradhe Anglia, një gjë e tillë mund të mësohet vetëm pas Kampionatit Botëror në Rusi.

Leave a Reply