Agolli: Nuk kemi ardhur për shëtitje 

Pas konferencësh për shtyp nga trajneri Xhani De Biazi, para mediave ka dalë Ansi Agolli për të thënë fjalët e tij para gazetarëve. Kapiteni kuqezi ka qenë vetëm përpara gazetarëve shqiptarë, pasi ata italianë ishin larguar, shkruan “sportal.al”.

Agolli e hapi fjalën e tij me një batutë për tifozët, teksa ka ironizuar me faktin se italianët e dërguan ndeshjen në Itali teksa u shpreh:

“Mendoj se Italia nuk e kishte menduar praninë e arbëreshëve para se ta sillte ndeshjen këtu”, u shpreh fillimisht Agolli duke qeshur, pasi më parë ishte mësuar se një qytezë e tërë kishte planifikuar të ndiqte takimin.

Ndërkohë, më tej kapiteni kuqezi deklaroi: “Fjalët janë të pakta për këtë sfidë. Është një ndeshje shumë e rëndësishme ndaj një kundërshtari shumë të fortë, por shpresojmë që edhe me mbështetjen e tifozëve tanë të arrimë një rezultat pozitiv ndaj Italisë. Gjithmonë e kemi ëndërruar të luajmë ndaj kësaj përfaqësuese, e kemi shumë afër Italinë por asnjëherë nuk e kemi patur kundër. Unë ndihem me fat që do të jem pjesë e kësaj sfide kaq të vecantë”.

Përsa i përket gjëndjes së Arlind Ajetit, Agolli i qetësoi të gjithë teksa u shpreh:

“Nuk besoj, ishte një dëmtim i lehtë dhe Ajeti besoj se do jetë ndaj Italisë.E rëndësishme për një skuadër nuk është rreshtimi në fushë, por personaliteti që shfaq në fushë, ne ndaj Italisë do të tregojmë personalitet dhe nuk do të shfaqemi në fushë si një skuadër që do të presim se çfarë do të bëjë Italia”.

“Italia mbetet Itali, gjithmonë prodhon lojtarë cilësorë, dhe ne duhet të tregojmë kujdes sidomos ndaj dy sulmuesve të tyre të cilët janë shumë të rrezikshëm. Cdo repart i një skuadre është i rëndësishëm sidomos ndaj një skuadre si kjo”.

Fakti që ndeshja do të luhet në Palermo nuk ka vetëm anë negative por edhe pozitive.

“Dëshira ime apo cdokujt ishte që kjo ndeshje të luhej në një stadium pak më në qëndër të Italisë, megjithatë ne jemi profesionista dhe luajmë aty ku na thonë. Mendoj që federata italiane nuk e kishte menduar këtë gjë, Sicilia është një ishull shumë afër Shqipërisë dhe është dicka e vecantë të kesh afër, ngrohtësinë e shqiptarëve që jetojnë këtu”.

Leave a Reply