Futsal,  Shkupi sonte shkruan historinë!

Ekipi i Futsal Shkupit sonte në palestrën “Rasadnik”  në Kisella Vodë do të zhvillojë ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë përballë fituesit të edicionit të kaluar dhe njëherit kampionit në fuqi, Zhelezarecit, njofton “infOSport.mk”.

Është kjo hera e parë që Shkupi luan në një gjysmëfinale të Kupës, ku shpreson dhe të arrijnë në finalen e madhe.

“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje. Të gjithë lojtarët jemi në formë të mirë dhe të gatshëm për të dhënë më të mirën. Shpresoj në një fitore, që do na siguronte finalen e madhe, të parën në historinë e klubit tonë” – tha shkurtimisht për “infOSport.mk”, kapiteni i “bardhekaltërve” nga Çairi, Arsim  Fazlija.

Nëse Shkupi prek finalen e madhe, atëherë pa dyshim që do të jetë një sukses i madh për këtë skuadër, që u themelua vetëm tre vite më parë.

Rikujtojmë ata në sezonin 2014/2015 garuan në Ligën e Dytë, ku që në vitin e tyre të parë si klub arritën që të shpallen kampion dhe të ngjiten në mesin e më të mirëve, ku suksesi sërish nuk mungoi.

Ata në debutimin e tyre në Ligën e Parë arritën që të dalin nënkampion, ndërsa këtë vit kur kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro janë në rrugë të mirë që të shpallen kampion, pasi kanë 3 pikë epërsi ndaj ndjekësit më të afërt, Velesit.

Një fitore në ndeshjen e sotme ndaj Zhelezarecit që starton në ora 20:00 do të ishte qershia mbi tortë për këta djelmosha që pa dyshim se janë krenaria e Çairit dhe gjithë shqiptarëve në vendin tonë.

Leave a Reply