Renova dhe Shkëndija dhuruan spektakël në “El Clasico-n” shqiptare (VIDEO)

Renova dhe Shkëndija kanë dhuruar spektakël në “El Clasico-n” shqiptare të zhvilluar sot në Tetovë, njofton “infOSport.mk”.

Në një ndeshje në të cilën të dyja skuadrat u futën pa asnjë ngarkesë, në fund rezultoi që të dyja skuadrat rivale të shënojnë plotë 8 gola, nga 4 në secilën anë.

Renova avansoi e para në këtë përballje me golin e realizuar nga Fisnik Nuhiu në minutën e 6-të nga pika e bardhë, ndërkohë golashënuesi më i mirë i elitës së futbollit vendor, Besart Ibraimi në minutën e 15-të u përkujdes për të barazuar shifrat në 1:1.

Goli i dytë për Renovën mban firmën e Remzifaik Selmanit, i cili përfitoi nga një gabim i mbrojtësit Mevlan Murati dhe pasi pranoi një top nga ana e bashkëlojtarit të tij, me një goditje precize nga brendia e zonës edhe për herë të dytë mposhti portierin Zahov.

Mirëpo këtu nuk ishte edhe fundi i golave të shënuar në pjesën e parë, pasi fare në fund Marjan Radeski shënoi golin e tij të parë në këtë përballje, duke shfrytëzuar në maksimum harkimin e Besart Ibraimit, i cili në këtë rast u tregua shumë i mirë në rolin e asistuesit.

2:2 u mbyll pjesa e parë, ndërsa po aq gola u shënuan edhe gjatë pjesës së dytë, edhe pse mund të shënoheshe edhe ndonjë tjetër, në rast se  Besart Abdurrahimi ishte i saktë nga pika e bardhë.

Ndryshe të parët që shënuan në këtë pjesë ishin futbollistët e Shkëndijës, sërish me autorë Marjan Radeski, i cili në minutën e 58-të, për herë të parë kaloi në epërsi Shkëndijën me rezultatin 3:2.

Pasoi një penalti jo e ekzekutuar mirë nga ana e Argjend Gafurit, i cili gabimin e tij e përmirësoi në minutën e 78-të, kur sërish nga pika e bardhë arriti që të shënojë në rrjetën e Zahov për rezultat 3:3.

Ish futbollisti i Shkëndijës, Muhamed Useini në minutën e 85-të solli sërish në epërsi Renovën, me një gol të bukur të shënuar pas një goditje të fortë brenda zonës së “kuqezinjëve”, për rezultat 4:3.

Mirëpo këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar në këtë ndeshje, pasi në minutat shtesë të takimit, Marjan Radeski pas një kombinimi të dyfishtë me Besart Ibraimin, realizoi edhe golin e tij të tretë personal dhe gjithsej të katërtin për Shkëndijën, për rezultat përfundimtarë, Renova 4, Shkëndija 4.

Ishte kjo një super ndeshje që përveç golave dhuroi edhe spektakël, ndërsa të pranishmit që kishin vendosur për të ndjekur nga afër këtë ndeshje nuk kishin gabuar, pasi vërtetë ishte kënaqësi të prezantosh në një ndeshje të këtillë.

Në mesin e atyre që kishin vendosur për të përcjellë këtë ndeshje, ishin edhe futbollistët shqiptarë, si Berat Xhimshiti i Atalantas, Arbnor Fejzullahu i Partizanit të Tiranës dhe ish futbollisti i Shkëndijës, Mensur Jakupi.

Leave a Reply