Pobeda mjaft bindëse ndaj Rabotniçkit, Shkupi humb dhe do luaj në balotazh (VIDEO)

Java e 35-të ka dhënë përgjigjen e fundit të pazgjidhur në elitën e futbollit vendor. Me ndeshjet e kësaj jave u mësua edhe emri i skuadrës që do të luaj në balotazh, gjëja e vetme që deri në këtë javë nuk ishte zgjidhur, duke pasur parasysh se që më herët mësuam emrin e kampionit të ri si dhe skuadrave që do na përfaqësojnë në Europë, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra që do luaj në balotazh është skuadra e Shkupit, që sot u dorëzua përballë Sileksit në Kartovë. Të përzgjedhurit e trajnerit Ardian Nuhiu pësuan disfatë minimale 1:0, ndërsa në anën tjetër Pobeda në Shkup, në stadiumin Boris Trajkovski me rezultatin 3:0 mundi Rabotniçkin, duke siguruar që sot mbijetesën në elitën e futbollit vendor.

I kobshëm për Shkupin u tregua Igor Nedeljkoviç me golin e realizuar në minutën e 77-të, ndërkohë heronjtë e Pobedës në fitoren ndaj “romantikëve”, janë Bllagoja Geshoski (15’), Miroslav Staniq (60’) dhe Nikola Sharkoski (84’), që shënuan tre golat e fitores së madhe të skuadrës nga Prilepi.

Me këtë fitore, Pobeda arriti në kuotën e 41 pikëve dhe duke siguruar në këtë mënyrë pozitën e 7-të, ndërkohë Shkupi tashmë i betonuar në pozitën e 8-të, me 36 pikë do të luaj ndeshjen e balotazhit kundër Novacit.

Leave a Reply