Alimi: Duam të vazhdojmë qëndrimin tonë në LE

Armend Alimi i cili po udhëheq mjaft mirë mesfushën e Shkëndijës këtë edicion në ndeshjet e Liga Evropa, ka folur lidhur me takimin që e pret skuadrën e tij në kuadër të turit të tretë eliminatorë të Liga Evropa.

Shkëndija nesër në Strumicë do të zhvillojë ndeshjen e kthimit ndaj skuadrës lituaneze të Trakai, ndaj së cilës në ndeshjen e parë “kuqezinjtë” nga Tetova kishin pësuar disfatë me rezultatin 2:1.

“Vazhdojmë serinë e ndeshjeve europiane të enjten me Trakain, por ne duam të vazhdojmë qëndrimin në Liga Europa. Kemi rezultat aktiv nga ndeshja e parë kur arritëm të shënojmë si mysafirë, por gjithsesi humbja si humbje na detyron të jemi ne ekipi që duhet të ndjek rezultatin. Nuk do të jetë aspak e lehtë pasi edhe rivali ka planet e veta, por besoj fuqishëm se nëse ne do të jemi në nivelin tonë, në fund do të marrim rezultatin e dëshiruar për tu futur për të dytin vit me radhë në “play off” të Liga Europa”, ishte shprehur Armend Alimi për faqen zyrtare të klubit.

Ndeshja Shkëndija – Trakai do të zhvillohet në stadiumin “Mladost” në Strumicë me fillim në ora 17:00 dhe e njëjta do të transmetohet në Digitalb SuperSport2.

Leave a Reply