Shkëndija dhe Destani, ambasadorët e vërtetë të shqiptarëve të Maqedonisë

Shkëndija e Tetovës bashkë edhe me Lazim Destanin viteve të fundit janë ambasadorët e vërtetë  të shqiptarëve të Maqedonisë në Evropë. “Kuqezinjtë” pres ardhjes së Destanit në krye, vit pas viti po i radhisin sukseset në Liga Europa, duke e shkruar historinë me ngjyrat “kuq e zi”.

Atë që bëri vitin e kaluar, kur arriti të prekë fazën “play-off” të Liga Evropa, Shkëndija e bëri edhe këtë vit, tashmë edhe më fuqishëm, ndërsa si kurorëzim i punës së palodhshme dhe të suksesshme, erdhi përballja me gjigandët e Evropës, italianët e Milanit.

Dikur shumica prej neve shqiptarëve të Maqedonisë ëndërronim 7 herë kampionët e Evropës, duke parë ata vetëm përmes TV ekranit, ndërsa ja që tashmë Shkëndija do na e servojë kënaqësinë, që yjet e “kuqezinjëve” nga Milano ti shofim për së afërmi në Shkup.

Është ky një sukses i madh historik për Shkëndijën, por edhe për gjithë neve shqiptarët e Maqedonisë, të cilët me siguri se do jemi krenarë gjatë përballjeve me Milanin e madh, pasi shumë lehtë ato dy netë të 17 dhe 24 gushtit, edhe bota do e kuptojë se shqiptarët qenkan shumë të rëndësishëm në një vend si Maqedonia.

Pra atë që politika po e bënë me shumë vështirësi, sporti, në veçanti futbolli, me Shkëndijën në krye po e bënë shumë shpejtë, pasi përballjet me Milanin me siguri se do i ndjekin me qindra, e qindra miliona njerëz.

Ndoshta shumica prej nesh kishim shpresuar se këtë vit Shkëndija do prek grupet e Liga Evropa dhe se do të realizonte ëndërrën e madhe, mirëpo si duket një gjë e tillë do të jetë e vështirë, por duhet kuptuar se me një kundërshtarë si Milani përballë, bota e futbollit do e njeh shumë më shpejtë Shkëndijën, skuadër kjo e cila  është bërë sinonim i suksesit në vitet e fundit.

Skuadra “kuq e zi” nga Tetova po ua zbardh fytyrën shqiptarëve me sukseset që po i arrin në arenën ndërkombëtare. Vit pas viti kjo skuadër po shkon lart e më lart, kjo falë organizimit të klubit me stil evropian, në krye me pronarin Lazim Destani dhe bashkëpunëtorët e tij. Pas gjithë kësaj krejt fare në fund nuk kemi se çfarë të themi, vetëm se ti falënderohemi numrit një të Shkëndijës, Lazim Destanit dhe Kompanisë “Ecolog”, që na bëri të krenohemi gjithë neve shqiptarëve të Maqedonisë, që tashmë mund të identifikohemi përmes Shkëndijës, njëjtë sikurse Shqipëria identifikohet përmes Kombëtares shqiptare, e Kosova përmes përfaqësueses kosovare. Për ne shqiptarët e Maqedonisë, kombëtare e vërtetë është SHKËNDIJA, me ngjyrat më të bukura në Botë, “KUQ E ZI”.

Leave a Reply