Adem: Fitore për publikun dhe “Shvercerat”

E hëna në futbollin vendor është e rezervuar për ndeshjen e fundit të javës së dytë, ndërmjet Shkupit dhe Shkëndijës, ndeshje kjo që do të zhvillohet në stadiumin e Çairit në Shkup. Në prag të këtij takimi, një prononcim për faqen zyrtare të klubit kishte dhënë Ermedin Adem, falë golit të të cilit sezonin e kaluar skuadra “bardhekaltër” kishte shënuar fitoren e vetme ndaj Shkëndijës, edhe atë në Tetovë.

“Kemi punuar mjaft për këtë ndeshje dhe besoj se jemi mirë të përgatitur. Padyshim se të gjitha ekipet i respektojmë, njëjtë është edhe me Shkëndijën, por respekti është deri sa të fillojë ndeshja dhe më pas gjithçka do të jetë ndryshe. Kemi humbur dy pikë në ndeshjen ndaj Akademija Pandevit dhe tani kemi nevojë për fitore që të rrisim moralin e skuadrës edhe më lartë. Këtë vit luajmë futboll shumë të bukur që duhet ta plotësojmë edhe me më shumë realizime dhe mendoj se është koha të shpërblejmë publikun tonë me një fitore”, është shprehur Ermedin Adem.

Ndeshja FC Shkupi – KF Shkëndija zhvillohet të hënën (21.08.2017), me fillim në orën 17:00 në stadiumin e Çairit. Ndeshja do të drejtohet nga arbitri Krumislav Gjorgiev nga Shtipi, me ndihmësit e tij Nikolla Karakolev, Risto Gjorgjiev dhe Stojançe Stojanov nga Shtipi, delegat i ndeshjes është Rami Rexhepi, ndërsa kontrollor Lube Ristevski.

Leave a Reply