Në Francë të sigurtë, Donaruma në verë te PSZH-ja

E ardhmja e Xhanluixhi Donarumas është e lidhur ngushtë me Paris Sen Zhermenin. Një gjë të tillë pohon francezja “QS”, sipa së cilës portieri italian ka vendosur të largohet nga Milani në fund të sezonit për t’iu bashkuar gjigantëve francezë.

Duket se ka qenë vendimtare ndërhyrja e Verratit, për të bindur 19-vjeçarin që të transferohet në “Ligue 1”.

Pra, parashikohet një tjetër verë e nxehtë për futbollistin, që në çdo periudhë merkatoje përflitet se do të largohet nga “San Siro”.

Donaruma është joshur nga projekti i presidentit Al Khelaifi, nga bukuria e kryeqytetit francez dhe sigurisht që ndikim të madh kanë patur edhe këshillat e mesfushorit italian, Verrati, që luan prej shumë sezonesh në Francë.

Pavarësisht deklaratave të vazhdueshme te drejtuesve milanez, se nuk kanë ndërmend të privohen nga një portier kaq shumë i talentuar, pa një kualifikim të mundshëm në Ligën e Kampionëve do të jenë të detyruar të shesin elementë të rëndësishme në ekip, për të shëndoshur financat.

Kjo lëvizje do t’i kënaqte të gjithë: Donnarumnan, që në Paris do të përfitonte 12 milionë euro në sezon (dyfishin e asaj që merr aktualisht te Milani), kuqezinjtë, që mund të mbushnin arkat me të paktën 70 milionë euro nga kartoni i tij dhe sigurisht që tepër i kënaqur do të ishte edhe menaxheri i portierit, Mino Raiola.

Leave a Reply