Totenhami mund të humb jug koreanin Son për dy vite, “thirret” ushtar nga vendlindja

Totenhami mund të humbasë shërbimet e Heung-Min Son për dy vite, me këtë të fundit që ka të ngjarë të rekrutohet në ushtri.

Sipas ligjit në Korenë e Jugut, të gjithë meshkujt nën 28 vjeç janë të detyruar të kryejnë shërbimin ushtarak, që zgjat nga 21 deri në 36 muaj, në varësi të sektorit ku do të kryhet ky shërbim.

Sipas tabloidit “The Sun”, Son, ashtu sikurse edhe të gjithë koreano-jugorët e tjerë nuk mund të refuzojë kryerjen e këtij shërbimi. Nëse ai e bën këtë, atëherë e pret një dënim me dy vite burg.

Kjo do të thotë se sulmuesi i Totenhamit, me shumë gjasa nuk do të jetë në dispozicion të stafit teknik të klubit londinez në sezonet 2019-2020 dhe 2020-2021. Megjithatë ka një pikë që mund ta ndihmojë Son, që t’i shpëtojë shërbimit ushtarak.

Ligji në Korenë e Jugut përjashton nga detyrimi i kryerjes së këtij shërbimi vetëm ata sportistë, të cilët bëjnë paraqitje të shkëlqyera në turnetë ndërkombëtare. Kjo do të thotë se, nëse Son do të shkëlqejë në Botërorin e Rusisë, atëherë nuk do të jetë i detyruar t’u baskhohet Forcave të Armatosura të vendit të tij.

Koreja e Jugut ndodhet në Grupin “F” të Botërorit, së bashku me Gjermaninë, Suedinë dhe Meksikën, e ajo që duhet të bëjë është që të përsërisë rezultatin e Kupës së Botës së vitit 2002, kur arriti deri në gjysmëfinalet e atij turneu.

Në këtë kompeticion, për Korenë e Jugut duket se është e vështirë të shkojë kaq larg, kështu që për Son, opsioni më i mirë që i mbetet për të shkëlqyer janë Lojërat Aziatike, që do të mbahen nga 18 gushti deri më 2 shtator të këtij viti në Indonezi, ku Koreja e Jugut do të kërkojë të mbrojë titullin e fituar në turneun e futbollit. (Top Channel)

Leave a Reply