Nedved: Tashmë me Realin luajmë dy ndeshje, Dybala do të bëjë historinë

Pas shortit të hedhur sot në Nion të Zvicrës kanë ardhur edhe reagimet e para. Zëvendëspresidenti i Juventusit, Pavel Nedved ka dhënë mendimin e tij lidhur me kundërshtarin e tyre për në ndeshjet çerekfinale, Realin e Madridit, me të cilën skuadër vitin e kaluar “Zonja e Vjetër” luajti në finalen e madhe të Kardifit, kur pësoi një disfatë të rëndë 4:1.

“Do të jetë një sfidë e dyfishtë e gjitha për t’u zbuluar, do të jenë ndeshje të mëdha. Ndeshemi me një skuadër shumë të fortë, por kësaj rradhe do të luajmë dy ndeshje. Do të jenë gara të forta, të vështira, por do të provojmë kualifikimin. Në Kardif ishte vetëm një. Duke e luajtur ndeshjen e parë në shtëpi, mund të bëjmë më mirë. Kemi Benatia dhe Pjaniç të skualifikuar dhe kjo i shton vështirësitë. Nisemi nga 0-0 dhe do të provojmë ta vëmë në vështirësi Realin” – u shpreh fillimisht Pavel Nedved, i cili beson shumë te dyshja sulmuese, Paolo Dybala – Gonzalo Higuain.

“Dybala dhe Higuain po bëjnë një sezon shumë të mirë. Jam i kënaqur me rendimentin e tyre. Dybala do të bëjë historinë me Juventusin dhe jo vetëm. Për mua do të bëjë historinë e futbollit botëror. Kohët e fundit e kam parë shumë në formë. Kjo na bën të shpresojmë se mund t’ia dalim” – thotë Nedved, që është i kënaqur me formën nëpër të cilën po kalojnë futbollistët “bardhë e zi” dhe se pikërisht ashtu siç po shkojnë gjërat, ashtu i kishin paramenduar edhe më herët.

Leave a Reply