Milani nuk ndalet, Andre Silva sërish rezulton deçiziv (VIDEO)

Milani i Xhenaro Gatuzos nuk ka të ndalur në “Serie A”, duke arritur kështu edhe fitoren e 8-të në 10 ndeshjet e fundit, njofton “infOSport.mk”.

Të besuarit e trajnerit Xhenaro Gatuzo në një ndeshje me shumë kthesa sot në kuadër të javës së 29-të mundën Kievon me rezultatin 3:2. Ishte kjo një ndeshje me shumë kthesa në rezultat, ku sërish golin e fitores e realizoi Andre Silva, njëjtë sikurse edhe në ndeshjen e fundit ndaj Xhenoas, kur vetëm disa sekonda para fërshëllimës së fundit të arbitrit kreysor i kishte siguruar tre pikët skuadrës “kuq e zi”.

Portugezi shënoi edhe sot golin e fitores në minutën e 82-të, kur shënoi për 3:2, edhe pse Milani në këtë ndeshje mund të shënonte të paktën edhe një gol, në rast se Frank Kessie në minutën e tretë shtesë të takimit ishte i saktë nga pika e bardhë.  Ndryshe golin e parë për Milanin në këtë ndeshje e realizoi turku Hakan Çalhanoglu pas 10 minutave lojë, për të ardhur më pas kundërpërgjigjja nga ana e mysafirëve me dy gola të shënuar brenda dy minutave me anë të Stepinskit (33’) dhe Inglese (34’). 1:2 ishte rezultati i pjesës së parë, ndërsa barazimin skuadrës milaneze ia siguroi Patrik Kutrone në minutën e 54-të, teksa rezervisti Andre Silva edhe njëherë tjetër doli të jetë shpëtimtari i Milanit, duke i siguruar edhe fitoren e 15-të këtë edicion, transmeton “infOSport.mk”.

Milani në 28 ndeshje sa ka zhvilluar këtë edicion në “Serie A” ka grumbulluar 50 pikë dhe aktualisht ndodhet në pozitën e 6-të me 3 pikë më pak se Lacio e vendit të 5-të, ndërkohë Kievo me 25 pikë mbetet në pozitën e 16-të.

Leave a Reply