Boksierët e Maqedonisë të gatshëm për kampionatin evropian (VIDEO)

Pas gjashtë viteve përfaqësuesja e Maqedonisë në boks do të marrë pjesë në një kampionat Europian. Nga e diela në Rumani, do të nis Europiani në boks për U22, në të cilin Maqedonia do të marrë pjesë me tre boksier, Jasin Lama, Lulzim Ismaili dhe Goce Janevski. Boksierët në këtë kampionat do jenë të shoqëruar nga dyshja e trajnerëve Salihu dhe Çurlinov.

“Padyshim që ne jemi përgatitur për një medalje dhe të kthehemi me rezultat pozitiv. Shorti luan shumë rol. Fati aty është, sepse mund të ndeshesh me boksier shumë të mirë, që mund të jenë për peshën time si kampion evropian, olimpik dhe botëror.  Shorti është shumë me rëndësi. Shpresoj të kem short të mirë” – thotë Jasin Lama.

“Përgatitjet u kryen dhe ne jemi në formë të mirë. Kemi pasur përgatitje me trajner të lartë. Ne jemi përgatitur në maksimum dhe synimi jonë është të kthehemi me medalje” – deklaroi për Alsat-M, Lulzim Ismaili.

Përpos boksierëve nga Maqedonia, në Kampionatin Europian në boks U22, që nis më 24 mars në Targu Jiu të Rumanisë, do të marrin pjesë edhe boksier nga Shqipëria. Boksierët e të dyja vendeve për dy javë të plota së bashku punuan në Shkodër. (Alsat-M)

 

Leave a Reply