Dyshja Shabani-Ramadani të gatshëm për ti siguruar finale Juventus Seravës

Juventus Serava pa dyshim se është një klub ku rinia gjenë veten dhe vendos të merret me sport. I tillë është rasti edhe me dy nga talentët e shumtë që ka skuadra shkupjane në rradhët e saj, Erkan Shabanin dhe Jakup Ramadanin, të cilët nga dita në ditë po shndërrohen në lojtarët kyç në lojën e Juventus Seravës. Që të dy bashkë kanë shënuar shumë gola gjatë këtij edicioni, ndërsa në disa ndeshje vendimtare kanë rezultuar edhe deçiziv me paraqitjet e tyre.

Ata janë të gatshëm edhe për sfidën ndoshta më të rëndësishme të skuadrës së tyre gjatë këtij edicioni, atë gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë kundër Shkëndijës së Tetovës, që do ta zhvillojnë sot me fillim në ora 19:00 në palestrën “Enver Idrizi” në lagjen Serava.

“Jemi të gatshëm për të dhënë më të mirën nga vetja dhe për të ndihmuar skuadrën tonë që të luajë në finalen e madhe. Nuk ka rëndësi se kush do të shënonte në ndeshje të këtilla, me rëndësi është që të fitoj Juventus Serava dhe në fund bashkë me publikun tonë të festojmë kualifikimin për në finale” – thotë Jakup Ramadani.

Njëjtë sikurse Ramadani, mendon edhe Erkan Shabani, i cili do kishte dashur që të shënojë sonte ndaj Shkëndijës, por mbi të gjitha dëshira e tij është që skuadra e tij të prek finalen e madhe.

“Ndeshje të këtilla vendosin nuanca, do të kisha thënë se i tillë rasti do të jetë edhe sonte përballë Shkëndijës. Normalisht që respektojmë kundërshtarin, mirëpo luajmë para tifozëve tanë, të cilët besoj se do të jenë lojtari ynë i 6-të në këtë ndeshje dhe se në fund bashkë do i gëzohemi fitores. Goli? Do të doja të shënoja me siguri, mirëpo them se kjo ka pak rëndësi, me rëndësi është që të luajmë në finalen e madhe dhe ta fitojmë atë” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, Erkan Shabani.

Juventus Serava kërkon finalen e tretë në historikun e saj, teksa në anën tjetër Shkëndija finalen e parë. “Bardhezinjtë” nga Shkupi në dy finalet e para ishin të  pafat, pasi në të dyja ndeshjet kishin humbur nga Zhelezareci, ashtu që shpresojnë se kësaj rradhe, gjithnjë nëse kualifikohen për në finale të jetë e treta dhe e vërteta.

Edhe pse ende nuk është caktuar ndonjë datë precize rreth zhvillimit të finales së madhe, burime të “infOSport.mk” bëjnë me dije se e njëjta ka gjasa të zhvillohet me datë 9 qershor në qytetin e Gostivarit.

Leave a Reply