Naingolan: Ëndërroj ta fitoj Ligën e Kampionëve

Mesfushori i Romës, Raxha Naingolan shpreson që skuadra e tij të shpallet kampione e Evropës. Ai e përshkruan Ligën e Kampionëve, si ngjarjen më të madhe për klube, dhe si të tillë, e njëjta mbetet ëndërr e çdo futbollisti për ta fituar.

Reprezentuesi belg do të ketë mundësinë që ta realizojë këtë ëndërr, pasi me Romën këtë vit kanë shkruar historinë, duke u kualifikuar për në gjysmëfinale ku për kundërshtarë fati deshi që të kenë skuadrën e Liverpullit.

“Liga e Kampionëve është një ëndërr për çdokënd që fillon të luajë futboll”, ka thënë ai për faqen zyrtare të UEFA-s.

“Si fëmijë kam dashur gjithnjë të luaj në këtë kompeticion dhe pasi kam arritur ta bëjë, tani më mbetet ta shijoj edhe Kupën e Botës. Megjithatë, Liga e Kampionëve mbetet një kompeticion madhështor, të cilin dua ta provoj ta fitoj”, ka theksuar Naingolan.

Roma ndeshjen e parë kundër Liverpullit do ta zhvillojë si mysafir me 24 prill, teksa atë të kthimit në “Olimpiko” me datë 2 maj.

Rikujtojmë në përballjen tjetër gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve përballen Bajern Munihu dhe Reali i Madridit, ndeshje kjo që do të zhvillohet në Gjermani.

Leave a Reply