Juta befason Hjustonin midis “Toyota Center” (VIDEO)

Juta Xhaz ka bërë befasinë më të këndshme në kuadër të ndeshjeve gjysmëfinale në Konferencën e Perëndimit, duke mundur Hjustonin në transfertë dhe duke barazuar serinë e ndeshjeve në 1:1, njofton “infOSport.mk”.

Juta Xhaz në “Toyota Center” shënoi fitore me rezultatin 116:108 ndaj Hjustonit, skuadër kjo e cila gjatë sezonit të rregullt në 25 ndeshjet e fundit që kishte zhvilluar para publikut të vetë, kishte pësuar në vetëm një ndeshje.

Juta Xhaz dominoi gjatë pjesës së parë të përballjes, duke krijuar madje një avantazh prej 19 pikësh në mesin e periudhës së dytë, me tabelën elektronike që tregonte rezultatin 37:56. Hjustoni, falë lojës së mirë sulmuese, mundi ta rikuperonte këtë diferencë, duke e kthyer sfidën në binarët e duhur, por kurrë nuk mundi të krijonte një epërsi më të thellë se 5 pikë, e arritur në periudhën e tretë.

Nga ky moment miqtë, të ekulibruar në fazën mbrojtëse, thyen shumë sulme të basketbollistëve vendas të Hjustonit, ndërsa në periudhën e fundit patën një tjetër ritëm, duke fituar në fund me 8 pikë diferencë.

Më i merituari për këtë fitore të Jutas, ishte Xho Ingliz, që këtë ndeshje e mbylli me 27 pikë, teksa Hjustonit nuk i ndihmuan as 32 pikët dhe 11 asistet e Xhejms Hardenit. Një tjetër basketbollist që spikati te Hjustoni në këtë ndeshje ishte edhe Kris Poll, që realizoi 23 pikë, ndërkohë me lojë të mirë te Juta u dallua edhe Donovan Miçell që regjistroi 17 pikë dhe 11 asiste.

Përballja e tretë e serisë zhvendoset në “Salt Lake City”, me “roketsat” që kanë nevojë të paktën për një fitore jashtë fushës, për të evituar eliminimin.

Leave a Reply