Statistikat e 10 ndeshjeve të fundit, Skopje do luftonte për Europë, Vardari dhe Sileksi për mbijetesë

Nëse ecuria e Skopjes do të kishte qenë si ajo e 10 ndeshjeve të fundit në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, skuadra e drejtuar nga Lupço Markovski – Kallc,  tani do të ishte duke luftuar për kualifikimin në Ligën e Europës dhe jo për mbijetesën.

Mund të duket e çuditshme, por vetëm dy skuadra të tjera përveç Shkëndijës  e kanë bërë më mirë se skuadra nga lagjja e Hekuranës në këtë periudhë.

Në këtë seri prej 10 ndeshjesh, Skopje ka arritur 4 fitore, 3 barazime dhe 3 disfata, edhe atë nga Rabotniçki dhe Renova që renditen më mirë se ata dhe një disfatë tjetër nga Akademia Pandev që renditet vetëm pas Skopjes, skuadër kjo që ka tubuar  15 pikë, një më pak se Renova e vendit të tretë dhe dy më pak se Rabotniçki i vendit të dytë, teksa Shkëndija që tashmë është shpallur kampione, me 23 pikë renditet në vendin e parë.

Shumë larg renditjes momentale, dy skuadrat e renditura në pozitat dy dhe tre, Vardari dhe Sileksi, nëse marrim në konsideratë 10 ndeshjet e fundit, këto dy skuadra tani do të luftonin për mbijetesë dhe në asnjë mënyrë për ndeshjet e Liga Europa. Që të dyja skuadrat kanë tubuar nga 10 pikë, njëjtë sikurse edhe Pobeda, ndërsa skuadra më e dobët në këto 10 ndeshje të fundit rezulton të jetë Pelisteri që ka tubuar vetëm 9 pikë dhe që ka një gol-averazh negativ 10:27.

Leave a Reply