Roma bënë për vete edhe Xhastin Klajvertin

Roma ka goditur sërish në merkato. Skuadra nga kryeqendra italiane ka arritur akordin edhe me Ajaksin e Amsterdamit për transferimin e talentit holandez Xhastin Klajvert, për një shumë prej 20 milionë eurosh kesh dhe 5 mln në formën e bonuseve.

Me lojtarin vet, Roma e kishte arritur më parë marrëveshjen, të cilit i ka ofruar një kontratë 5-vjeçare me 2 milionë euro në sezon.

Megjithatë, drejtori sportiv i Romës duket se nuk do të ndalet me kaq. Monçi ka hedhur sytë edhe nga mesfushori Hakim Ziyech, gjithashtu një lojtar i Ajaksit. Deri më tani, Roma ka afruar 4 lojtarë, Çoriç, Marcano, Kristante dhe së fundmi Klajvert.

Djali i të famshmit Patrik Klajvert, i lindur në vitin 1999, konsiderohet si një talent që premton shumë në të ardhmen. Por, një detaj mbetet gjithashtu për t’u theksuar.

Afrimi i Xhastin Klajvert nga Ajaksi është bërë përmes ndërmjetësimit të agjentit më të famshëm e më kontrovers të futbollistëve, Mino Raiola, i cili do të përfitojë 4 mln euro vetëm sepse është “pronar” i 20 për qind të kartonit të talentit holandez.

Klajvert pritet të zbresë në kryeqytet gjatë fundjavës për të kryer vizitat mjekësore dhe për të hedhur firmën mbi kontratë.

Leave a Reply