Spanjë-Portugali, përballje titanësh

Një përplasje e vërtetë titanësh. Kështu mund të konsiderohet sfida e Grupit B, Portugali – Spanjë, që do të zhvillohet në orën 20:00, në “Fisht Olympic Stadium” të Sochit, rezultati i së cilës pritet të vendosë se cila nga këto dy skuadra do të renditet e para e grupit.

Edhe pse përfaqësojnë dy vende fqinje në Gadishullin Iberik dhe janë emra shumë të rëndësishëm të futbollit europian, për Portugalinë dhe Spanjën është herë e dytë në histori që përballen në Kupën e Botës. Në fazën e 1/16 të Afrikë 2010, “La Roja” i eliminoi luzitanët me një fitore të ngushtë 1-0.

Portugalia dhe Spanja janë ndeshur në 35 raste në histori. Spanjollët kanë fituar 16 takime, portugezët 6 dhe në 13 raste janë ndarë në barazim. “La Roja”, që është një miksim i lojtarëve me eksperiencë me të rinjtë e talentuar, vjen në një moment të vështirë pas shkarkimit të trajnerit Julen Lopetegui vetëm para dy ditësh, me Fernando Hierron që më shumë se me taktikën duhet të punojë për të ruajtur atmosferën pozitive brenda grupit, që ky ndryshim i papritur të mos ketë ndikim në performancën e ekipit.

Nga ana tjetër Portugalia vjen si kampionia e Europës në fuqi, me “yllin” e saj Cristiano Ronaldo që ka shansin e fundit për të bërë diçka të madhe në Botëror, transmeton tch.

Formacionet e mundshme:

Portugalia: Rui Patricio; Raphael Guerreiro, Jose Fonte, Pepe, Cedric; Joao Mario, Joao Moutinho, William, Bernardo Silva; Cristiano Ronaldo, Goncalo Guedes

Spanja: David De Gea; Jordi Alba, Sergio Ramos, Gerard Pique, Nacho; Sergio Busquets, Thiago Alcantara; Andres Iniesta, Isco, David Silva; Diego Costa

Leave a Reply