Rroca megjithatë mbetet larg Shkëndijës

Eduart Rroca ishte kthyer në objektivin kryesor të Shkëndijës së Tetovës për merkaton e verës. Fantazisti ishte i vetmi i mbetur në Gjirokastër nga treshja fantastike që krijonte me Abazajn dhe Bregun. Edhe ai dukej i destinuar për një lëvizje të rëndësishme, por që nuk u konkretizua.

Sipas “sportekspres” tashmë palët janë më larg se kurrë. Shkak janë bërë pretendimet financiare të Luftëtarit, që nuk ka ndërmend të ulë me asnjë qindarkë çmimin e përcaktuar për Rrocën.

Gjirokastritët kërkonin 100 mijë euro për kartonin e mesfushorit dhe një përqindje në rast të rishitjes së lojtarit në të ardhmen. Shifra është cilësuar e ekzagjeruar nga drejtuesit e Shkëndijës, për faktin se Rroca ka vetëm një vit të mbetur në kontratë dhe bëhet fjalë për një lojtar jo më edhe aq të ri.

Te Luftëtari nuk pranuan ofertën e Shkëndijës, për të paguar menëjherë gjysmën e shifrës që ata kërkonin, ndërsa vlera do të ishte e përafërt me modalitetet e kontratës ndërmjet dy klubeve dhe me futbollistin.

Sipas gjasave Rroca do të mbetet në Gjirokastër edhe për një sezon, për tu larguar më pas nga Luftëtari si lojtar i lirë.

Leave a Reply