Osmani: Besojmë në përmbysje, kemi gjasa të kualifikohemi

Disfata e mbrëmshme 3:1 e Shkëndijës në ndeshjen e parë të fazës “play-off” të Liga Europa nga Rosenborgu në Norvegji nuk është pasqyrë reale e ndodhive në terren. Është ky vlerësimi i  trajnerit, Qatip Osmani, i cili beson se kuqezinjtë merituan rezultat më të favorshëm.

Gjithsesi ai beson se paraqitja në Trondheim, posaçërisht në pjesën e dytë si dhe goli i shënuar japin shpresë që Shkëndija të besojë në përmbysje në takimin e kthimit në Shkup.

“Bazuar në lojën e treguar mendoj se Shkëndija sonte meritoi rezultat më pozitiv, por megjithatë shënuam golin që na jep shpresë se në takimin e kthimit do të mund të kualifikohemi në grupet e UEFA Europa League. Na pret ndeshje historike në Shkup dhe Shkëndija do të mundohet të anulojë këtë negativë. Edhe pse humbëm, nëse luajmë me këtë goditje ritëm mendoj se kemi gjasa të kualifikohemi. Normal do kemi nevojë për mbështetjen e publikut dhe besoj të kemi numër të madh spektatorësh në tentimin për të shkruar historinë”, deklaroi trajneri Qatip Osmani në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Rosenborgun në Trondheim.

Ndeshja e kthimit në Shkup në program është me datë 30 gusht, kur pritet një mbështetje e madhe nga publiku shqiptarë, mbështetje kjo që do të jetë impuls shtesë drejt realizimit të suksesit historik, kualifikimit në grupet e Liga Europa për Shkëndijën.

Leave a Reply