Zekirja Ramadani rikthehet në Kosovë!

Zekirja Ramadani, i cili gjatë ditës së djeshme dha dorëheqje nga posti i trajnerit te FC Shkupi, me shumë gjasa sërish do të rikthehet në Kosovë për të drejtuar Ferronikelin, shkruan “Gazeta Olle”, përcjellë “infOSport.mk”.

Ramadani shihet si njeriu i duhur për skuadrën kosovare, të cilën e drejtonte edhe vitin  e kaluar, ndërsa pikërisht nga kjo e njëjta kishte ardhur në krye të FC Shkupit. Strategu shkupjan skuadrën nga Çairi e udhëhoqi edhe në dy ndeshjet e Liga Europa përballë gjigandëve skocez të Gllazgou Renxhers, ku edhe përkundër eliminimit la një përshtypje të mirë, duke barazuar në Shkup 0:0 dhe duke pësuar një disfatë 0:2 në Skoci, mirëpo starti i dobët në kampionatin vendor (dy ndeshje, dy barazime), e për më tepër eliminimi nga Kupa e Maqedonisë nga skuadra e Ligës së dytë, Kit Go, bënë që Ramadani personalisht të ofrojë dorëheqjen, e që e njëjta u pranua nga ana e drejtuesve të skuadrës  “bardhekaltër”.

Ramadani përveç Ferronikelit, në Kosovë ka udhëhequr edhe Trepçën ’89, me të cilën skuadër në vitin 2017-të u shpalla kampione e Kosovës dhe për herë të parë në historikun e futbollit kosovar luajti në arenën ndërkombëtare.

Ramadani te Ferronikeli do të zëvendësonte strategun shqiptare, Sulejman Starova, i cili edhe pse erdhi me shumë bujë te skuadra nga Drenasi, nuk po arrinë dot të korrë rezultatet e duhura. Ferronikeli edicionin e ri e nisi me barazim 1:1 në shtëpi ndaj Trepça ’89, ndërsa pikërisht barazimet ishin rezultatet më të përsëritura edicionin e kaluar, që prej kur se Ferronikeli u morrë në udhëheqje nga Starova. Rikujtojmë edicionin e kaluar Ferronikeli e mbylli në pozitën e 5-të me 48 pikë, dhe plotë 18 barazime nga gjithsej 33 ndeshje.

Leave a Reply