“Topi i Artë”, lajm jo i mirë për Kristiano Ronaldon

Luka Modriç mbrëmë mposhti Kristiano Ronaldon në garën për lojtarin më të mirë të UEFA-s për vitin 2018, ndërsa kroati pritet të jetë rivali kryesor i portugezit edhe në garën për “Topin e Artë”.

Mesfushori i Real Madridit fitoi garën me Sallah dhe Ronaldon, duke i hequr mundësinë yllit portugez për të fituar këtë çmim prestigjoz për herë të katërt në karrierë.

Cermonia e ndarjes së çmimeve të UEFA-s e mbajtur në Montekarlo me rastin e hedhjes së shortit të edicionit 2018-2019 të Ligës së Kampionëve nisi me nderimin e legjendës angleze Dejvid Bekam, i cili fitoi çmimin e karrierës.

Portieri më i mirë u zgjodh Kejlor Navas i Realit të Madridit, i cili fitoi betejën me italianin Bufon dhe brazilianin, Alison.

Mbrojtësi më i mirë me meritë u zgjodh kapiteni i Realit, Serhio Ramos, çmimi i mesfushorit më të mirë shkoi për Luka Modriç ndërsa ai i sulmuesit më të mirë për Kristiano Ronaldon.

Leo Messi dhe Mohamed Sallah ishin rivalët e portugezit të Realit, i cili gjithsesi me trofeun e tretë radhazi të fituar me Realin në Ligën e Kampionëve dhe me 15 golat e realizuar, në fund i’a doli të jetë më i miri në këtë garë.

Megjithatë, Ronaldo te Luka Modriç tashmë ka një rival të madh për çmimin e lojtarit më të mirë të vitit që jepet nga FIFA dhe për “Topin e Artë” që jepet nga “France Football”. Kroati përveç që fitoi Ligën e Kampionëve me Realin e Madridit edicionin e kaluar, ai me Kroacinë e tij arriti që të prek finalen e Botërorit “Rusi 2018”, dhe pikërisht këtu është edhe përparësia e Modriç përballë ish shokut të tij të skuadrës, Kristiano Ronaldo.

Leave a Reply