Tifozët e Valencias i prishin qetësinë Juves dhe Ronaldos

Një surprizë e pakëndshme e ka pritur Juventusin në Valencia, ku sonte do të zhvillojë ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve për sezonin e ri. Futbollistët  “bardhezi” gjatë mbrëmjes së kaluar janë shqetësuar nga disa tifozë vendas.

Mediat spanjolle kanë bërë të ditur se pas mesnate, disa tifozë të Valencias të maskuar janë afruar hotelit ku qëndron ekipi kampion i Italisë dhe kanë prishur qetësinë e futbollistëve, mes tyre edhe të yllit portugez, Kristiano Ronaldo.

Ngjarja ndodhi në hotelin “Uestin”, teksa tifozët ndezën flakadane për t’ua prishur gjumin futbollistëve të “Zonjës së Vjetër”, ndërkohë që shfaqën edhe disa banderola ndaj ekipit italian. Patrullat e policisë kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje për të shmangur incidente të mëtejshme.

Mësohet se policia spanjolle ka nisur një hetim për ngjarjen, ndërsa kamerat e sigurisë do shërbejnë si provë materiale për të identifikuar të rinjtë e papërgjegjshëm.

Leave a Reply