Raikonen fiton në SHBA, shtyhet festa dhe titulli i Hamilton

Kimi Raikonen ka siguruar sot fitoren e tij të parë pas 5 vitesh duke triumfuar në Çmimin e Madh të SHBA-ve, ndërsa festa për titullin kampion e Luis Hamilton u shty për garën tjetër, edhe pse Sebastian Fetel u rrotullua dhe doli nga pista që në fillim sot.

Raikonen kaloi britanikun Hamilton në start dhe i rezistoi sulmeve në fund të garës nga Verstapen, i cili ishte i jashtëzakonshëm  pasi e kishte filluar garën nga vendi i 18 për ta mbyllur në të dytin, duke lënë pas pikërisht Luis Hamiltonin.

Për Raikonen, ky ishte suksesi i tij i parë me Ferrarin që pas kthimit te skuadra që do të lërë në fund të sezonit, pasi fitorja e tij e fundit kishte qenë me Lotus në vitin 2013-të.

Hamilton luftoi vetë deri në fund për vendin e dytë, që do ta bënte matematikisht kampion, por një gabim pak kthesa para fundit bëri që të kënaqej me të tretin e të shtynte edhe pak hapjen e shampanjës për titullin kampion.

Meqë Fetel doli i katërti, diferenca mes dy rivalëve për titull është 69 pikë në favor të britanikut kryesues, kur kanë mbetur edhe 75 pikë të mundshme në lojë në 3 garat e fundit. (vipsport.al)

Leave a Reply