Feronikeli i Ramadanit pëson disfatën e parë në Superligën e Kosovës

Skuadra e Feronikelit që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Zekirja Ramadani në ndeshjen e saj të 10-të në Superligën e Kosovës ka pësuar disfatën e parë sezonale, njofton ‘infOSport.mk’. Skuadra nga Drenasi u mund minimalisht 1:0 në transfertën ndaj Gjilanit, për të cilën skuadër realizoi braziliani, Xheferson Francisko Markez Lopez në minutën e 66-të.

Edhe përkundër kësaj disfate skuadra e Ramadanit mbetet në krye të renditjes me 23 pikë, dy më shumë se Prishtina e vendit të dytë, që gjatë ditës së djeshme kishte mundur KEK-un me rezultatin 3:0.

Në duelin tjetër të ditës së sotme të zhvilluar në Mitrovicë, Trepça ’89 dhe Llapi mbyllën ndeshjen me barazim. Dy ekipet realizuan nga një gol për të marrë nga një pikë, ndërsa duhet theksuar se të dyja skuadrat në pjesën e dytë luajtën me nga 10 futbollistë, pasi që Gucev u përjashtu te vendasit, ndërkohë Zhdrella te mysafirët.

Leave a Reply