‘El Pais’, Reali ka kontaktuar me Murinjon!

Mediat në Spanjë kanë raportuar se Real Madridi ka filluar kontaktet me ish strategun, Hoze Murinjo për ta kthyer në “Santiago Bernabeu”.

Gjatë javëve të fundit, janë përhapur spekulimet se si rrjedhojë e rezultateve zhgënjyese, portugezi mund të shkarkohet nga drejtuesit e Mançester Junajtedit, mirëpo edhe përkundër këtyre spekulimeve, ‘Special One’ ka theksuar se ai ka kontratë deri në vitin 2020.

“E ardhmja ime është këtu. Kam kontratë dhe jam i lumtur të qëndroj këtu deri në ditën më të fundit të kontratës sime, dhe edhe më gjatë se kaq. Gjithçka çfarë po mendoj për momentin është Mançester Junajtedi”, – tha dje në konferencën për shtyp, Murinjo, i cili do ta ketë shumë të vështirë sonte përballë Juventusit, e në veçanti bashkëpatriotit të tij, Kristiano Ronaldo, që do të jetë arma kryesore e ‘bardhezinjëve’ në takimin e sontshëm në ‘Old Traford’.

Sipas të përditshmes spanjolle El Pais, ish-klubi i portugezit, Real Madridi, ka kontaktuar me të rreth një rikthimi të mundshëm në Bernabeu.

Real Madridi po kalon në startin më të dobët të një sezoni në 17 vitet e fundit, dhe raportohet se tarjneri Julen Lopetegi është në prag të shkarkimit.

Gazeta spanjolle shkruan se Murinjo “po pret që të shkarkohet”, por se ai po refuzon që të largohet për shkak se nuk dëshiron që të dorëzohet nga paga e dy viteve e gjysmë.

Murinjo aktualisht raportohet se fiton 20 milionë euro në vit te Junajtedi.

Leave a Reply