Arlind Ajeti pushon së paku dy muaj, e lëndoi vëllai i tij, Albiani

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Arlind Ajeti do të mungojë nga fushat e futbollit deri në fund të këtij viti. Shkak është i vëllai i tij, Albiani i cili e dëmtoi gjatë një dueli në fushë në ndeshjen mes Grasshopersit dhe Bazelit.

Arlind Ajeti i cili së fundmi luante në Itali, vendosi të rikthehet në Zvicër dhe të veshë fanellën e Grasshopersit, skuadër kjo e cila në kuadër të javës së 12-të mirëpriti Bazelin e Albian Ajetit dhe Taulant Xhakës.

Arlindi pati një përplasje me vëllanë e tij Albianin gjatë pjesës së parë, ndërsa e gjithë kjo i shkaktoi shumë dhimbje mbrojtësi të kombëtares shqiptare, i  cili në ato momente shtrëngoi shpatullën me dorë, ndërsa pas dhënies së ndihmës së parë ai u rifut sërish në lojë, por e pati të vështirë që të luante në përfundim të pjesës së parë, si pasojë e dhimbjeve të shumta. Kështu, stafi vendosi që ai të mos vazhdonte lojën.

Mjekët thanë se futbollisti i Grasshopers duhet që të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale, e kjo do të thotë se atij do t’i duhen 2 muaj që të rikuperohet. Ky lajm ka mërzitur edhe vëllanë e tij, i cili pas përfundimit të ndeshjes, tha: ‘Kjo është një situatë mjaft e sikletshme. Më vjen shumë keq për vëllanë tim. Nuk është aspak e bukur që të nxjerrësh shpatullën. Unë uroj që të kthehet sa më shpejt. Nëse është e shkruar, ne do të takohemi përsëri 20 herë, 2 herë aspo asnjëherë. Por kur të ndodhë, më mirë të evitojmë pak më shumë njëri-tjetrin’.

Ndërkohë në anën tjetër Arlind Ajeti pas përfundimit të ndeshjes tha se kur në një ndeshje ke vëllanë kundër, nuk është e lehtë.

‘Deri tani kemi qenë gjithmonë bashkë. Tani të luash kundër vëllait tënd nuk është aspak e këndshme’, tha ai.

Leave a Reply