Konte vazhdon negociatat me Florentino Perezin

Florentino Pérez duket se vijon të meditojë për të ardhmen e stolit të “los blancos” tashmë me Julien Lopeteguin e shkarkuar. Tratativa me Antonio Conten dukej thuajse e mbyllur, por gjithçka u përmbys pas atyre deklaratave të kapitenit Ramos, mbi mënyrat e “hekurta” të komunikimit të trajnerit italian.

Batuta e Ramos, referuar Contes, “Respekti fitohet dhe nuk imponohet”, pati ndikim të drejtpërdrejtë në këtë operacion, duke ndryshuar dinamikën e ngjarjeve dhe tashmë është italiani ai që vë në dyshim mundësinë për të ardhmen e tij me klubin mbretëror, me ish teknikun e Chelseat që siç e citojnë mediat kërkon një kontratë të zgjatur me terma të reja financiare, nga ajo që ishte parashikuar, siguri teknike dhe klimë të qetë në dhomat e zhveshjes në mënyrë që të japë miratimin për të nisur aventurën e tij në “Santiago Bernabeu”.

Në pamje të parë më këtë situatë të komplikuar duket se prioritet kishin alternativat e reja që janë lakuar nga mediat gjatë këtyre ditëve të fundit, por të rejat e fundit nga Spanja konfirmojnë se Perez vijon të mbetet i hapur për Opsionin Conte pasi tek ai shohin njeriun e duhur për të menaxhuar këtë klub. Pra opsioni Conte nuk është zbehur edhe pse rezulton më i komplikuar.

Pengesat nuk mungojnë dhe e para është kontrata, me teknikun që kërkon 10 milionë euro neto në sezon ndërkohë që madrilenët janë të gatshëm t’i paguajnë vetëm 8 milionë euro. Këtu shtohet edhe problemi i kohëzgjatjes së kontratës, me Perez që ka disa dyshime tek italiani ndaj nuk dëshiron të nënshkruajë për afate të gjata kohore, ndërkohë që Conte kërkon minimalisht një kontratë dy vjeçare.

Lista e pengesave pasurohet me problemet që gjeneron dhoma e zhveshjes. Sergio Ramos nga “Camp nou” dërgoi një mesazh të fortë kur u shpreh se: “Metodat që përdor një trajner, nganjëherë janë më të rëndësishme se njohuritë e tij teknike”. Pas kësaj deklarate tashmë Conte kërkon garanci nga klubi që dhoma e zhveshjes të mos pengojë punën e tij dhe sigurisht të jetë i respektuar nga lojtarët. Pavarësisht këtyre faktorëve, alternativa Conte mbetet në lojë.

Leave a Reply