Sonte rikthehet Çampionsi, kryendeshja në “Olimpiko” mes Romës dhe Realit

Luhen sonte ndeshjet e raundit të pestë të fazës së grupeve të Championsit, rezultatet e të cilave pritet të japin disa verdikte përfundimtare sa i përket kualifikimit të skuadrave të ndryshme.

Bayern Munchen do të presë në “Allianz Arena” skuadrën e Benfikës, ndaj së cilës i mjafton edhe barazimi për të siguruar kualifikimin për në 1/8 e finaleve. Presioni te bavarezët është i gjithi te Nico Kovac, që sipas medias britanike po ndjen hijen e Arsene Wenger, me trajnerin e kampionëve të Gjermanisë që ka deklaruar se Bayern do të luajë për të fituar këtë përballje me luzitanët. Po në Grupin E AEK-u u Athinës, me zero pikë, do të presë Ajaksin e Amsterdamit.

Ne Grupin F spikat përballja mes Lyonit dhe Manchester City-t. Skuadra franceze do të synojë t’i bëjë një tjetër surprizë të hidhur ekipit të Pep Guardiolës, sikurse ndodhi në ndeshjen e parë në grup. Takimi tjetër luhet mes Hoffenheimit dhe Shaktar Donjeckut dhe do të ketë shumë rëndësi për vendin e tretë që të lejon të marrësh pjesë në Europa League.

Real Madrid do të luajë në “Olimpico” të Romës, me skuadrën verdhekuqe që kualifikohet për në fazën tjetër edhe me 1 pikë. Të dyja skuadrat vijnë në këtë përballje pas humbjeve në kampionatet respektive me Eibarin dhe Udinesen dhe që të dyja kanë mungesa. Roma do jetë pa De Rossin, Pastoren, Perottin e Pelegrinin, ndërsa Reali do jetë pa Casemiro, Navas e Nacho. Ndeshja tjetër e Grupit G do të jetë mes CSKA-së së Moskës dhe Viltoria Plzen.

Në Grupin H Juventus pret në Torino Valencian, me “Zonjën e Vjetër” që ashtu sikurse edhe Bayern e Roma do të mjaftohet edhe me 1 barazim për të qenë mes 16 më të mirave të Ligës së Kampioneve. Nga ana e saj, Valencia do të duhet të fitojë ndaj Juventusit, por duhet të shpresojë edhe në një humbje ose barazim të Manchester United me Young Boys për të qenë ende në lojë për kualifikimin për në fazën tjetër.

Në letër duket ndeshje e lehtë për skuadrën e Mourinho, pasi zviceranët janë në fund të grupit me 1 pikë. Manchester United nga 9 ndeshje të zhvilluara në “Old Trafford” në të gjitha kompeticionet në këtë sezon ka mundur të fitojë vetëm 3, një statistikë kjo jo shumë pozitive për të.

Leave a Reply