Junajtedi nuk ndalet me Solskjaerin në krye, Çelzi rrëshqet në ‘Stemford Brixh’

Skuadra nga ‘Olld Traford’ sonte në ‘Sent Xhejms Park’ mundi Njukasëll Junajtedin me rezultatin 2:0…

Mançester Junajtedi ka shënuar edhe fitoren e katërt me rradhë nën drejtimin e trajnerit Ole Gunar Solskjaer, njofton ‘infOSport.mk’.

Skuadra nga ‘Olld Traford’ sonte në ‘Sent Xhejms Park’ mundi Njukasëll Junajtedin me rezultatin 2:0, me dy gola të shënuar në pjesën e dytë. Romelo Lukaku në minutën e 64-të shënoi golin e parë, duke përfituar nga një gabim i portierit Dubravka, ndërsa golin e dytë e realizoi Markus Rashford.

GOLAT NGA NDESHJA NJUKASËLL J. – MANÇESTER J., NDIQENI KËTU.

Kjo fitore duhet të kënaq edhe vetë trajnerin Ole Gunar Solskjaer, i cili pas 3 fitoreve të para, kishte kërkuar nga djelmoshat e tij që të shënojnë fitoren e parë pa gol të pranuar.

Junajtedi falë kësaj fitore arrinë në kuotën e 38 pikëve, 3 më pak se Arsenali i vendit të 5-të, ndërkohë para tyre me 44 pikë renditet Çelzi. Këta të fundit sonte zhgënjyen tifozët e tyre, duke barazuar pa gola në ‘Stemford Brixh’ përballë Sautemptonit.

Leave a Reply