Firmino braziliani më i mirë në Europë, fiton garën me Marselo dhe Nejmar

Sulmuesi i Liverpullit, Roberto Firmino ka fituar çmimin ‘Samba Gold’ për vitin 2018-të, që i jepet futbollistit më të mirë brazilian që luan në Europë.

Ai la pas vetes mbrojtësin e majtë të Realit të Madridit, Marselo si dhe yllin e Paris Sen Zhermenit, Nejmar.

Firmino fitoi 21,79% të votave, Marselo u ndal në vendin e dytë me 20,51% të votave, teksa për Nejmar votuan vetëm 18,67% të anketuarve.

Ky çmim ndahet për çdo vit nga sajti ‘Sambafoot’, ndërsa deri më tani nga tre herë këtë çmim e kishin fituar Nejmar dhe Tiago Silva. Gjatë këtij viti për futbollistin më të mirë brazilian që luan në Europë kishin votuar 123 mijë lexues.

Firmino është futbollisti i dytë nga rradhët e Liverpullit që fiton këtë çmim. Gjatë vitit 2016-të fitues kishte dalë Filipe Kutinjo, i cili aktualisht mbron ngjyrat e skuadrës së Barcelonës.

Roberto Firmino te Liverpulli u transferua gjatë vitit 2015-të nga rradhët e Hofenhajmit. Gjatë sezonit aktual braziliani në 21 ndeshje të zhvilliuara në Premierligë ka shënuar 8 gola, përfshirë këtu edhe golin e fundit ndaj Sitit mbrëmë, në të cilën ndeshje Liverpulli i tij pësoi disfatën e parë të këtij sezoni me rezultatin 2:1. Firmino me Liverpullin ka kontratë deri në vitin 2023.

Leave a Reply