Ademi me Dinamon kualifikohet, Mustafi gol dhe Xhaka asiste për Arsenalin

Arian Ademi me skuadrën e Dinamo Zagrebit është kualifikuar në fazën e 1/8-ve të Liga Evropës, pasi eliminuan Viktoria Pëlzenin me rezultat të përgjithshëm 4:2. Skuadra kroate ndeshjen e parë e humbi me shifra 2:1, ndërsa sonte në “Maksimir” triumfuan bindshëm me shifra 3:0, duke siguruar kështu kualifikimin në raundin tjetër. Fatin e njejtë nuk e pati reprezentuesi tjetër i Maqedonisë, Elif Elmas, pasi me skuadrën e tij Fenerbahçe nuk arritën të bëjnë më shumë ndaj Zenitit, me këta të fundit që vazhdojnë më tej me rezultat të përgjithshëm 3:2.

Në anën tjetër, Arsenali përmbysi humbjen e parë në Bjellorusi përballë Bate Borisov, pasi në Londër triumfoi me rezultatin 3-0. Autogoli i Volkov, Mustafi dhe Sokratis shënuan për Arsenalin, ndërsa mesfushori me origjinë nga Kosova, Granit Xhaka dhuroi dy asiste në këtë takim, duke ndihmuar skuadrën të vijojë më tej eksperiencën në Europë.

Fitore mori edhe Napoli, që mposhti Zyrihun me rezultatin 2-0, falë golave të Verdit dhe Ounas. Hysaj ishte titullar në këtë takim, që gjithsesi nuk ishte shumë i rëndësishëm për napolitanët, pasi kishin fituar 1-3 në ndeshjen e parë. Pas barazimit 2-2 në Ukrainë, Eintrachti siguroi kualifikimin në Frankfurt, pasi mposhti me rezultatin e thellë 4-1, Shakhtar Donetskun, në një sfidë ku këta të fundit bënë shumë pak për të shmangur eliminimin.

Biletë për në raundin tjetër morën edhe Salzburgu dhe Villareali.

Leave a Reply