Klasi dhe edukata e Ardian Nuhiut!

Të jesh i suksesshëm në një drejtim të caktuar është një gjë dhe të kesh vlera të larta njerëzore është diçka tjetër. Të fitosh nuk don të thotë detyrimisht se ke klas si njeri, por kur këtë e posedon si vlerë personale atëherë flasim për një profil personazhi të kompletuar.
Duke llogaritur se karriera e tij si trajner është realisht në fillim, ish-futbollisti i suksesshëm shkupjan tregon se mbase niveli i edukatës në kombinim me punën që bën në terren do të jenë formula që do t’a ngrisin në një teknik të suksesshëm.

Një karrierë e nisur te FC Shkupi për momentin duket e determinuar të vazhdojë në Gjilan te Drita. Fillimisht i zgjedhur si ndihmës i trajnerit të mirënjohur Shpëtim Duro, me dorëheqjen e këtij të fundit merr postin e shefit të stafit teknik te kampionia në fuqi e Kosovës.

Në debutim para vetes kishte derbin e qytetit të Anamoravës. Drita dominon dhe fiton me klas 3:1 përballë Gjilanit dhe në kushte kur të gjithë ishin pushtuar nga euforia e triumfit ndaj rivalit të përbetuar, Ardian Nuhiu arrin të prezantojë ‘modelin’ e ‘shkëlqimit në heshtje’!
I matur si gjithmonë, fjalë pak, por të zgjedhura e të kombinuara mirë, pa eufori dhe me një qetësi admiruese në vend që të ‘fluturojë’ e shijojë suksesin e momentin, ai dedikon fitoren tashmë ish-shefit të tij, Shpëtim Duros.

Respect! Model i mirënjohjes dhe kolegialitetit të mirëfilltë e sinqertë. Manifestim vlerash me klas, tregues klasik kur personalen e vëndos pas të përgjithshmes. Njeri i rrallë që në vend t’i kënaqet suksesit të tij, kujton dhe vlerëson njeriun që deri dje e kishte mbi veten.
Ky është Ardian Nuhiu, njeri me klas e edukatë admiruese. Punëtorë i vyeshëm që tregon se nuk ‘dehet’ nga suksesi i momentit, sepse ka qëllime të qarta për të ardhmen! Karakteristika këto që mbase paralajmërojnë një karrierë të suksesshme!/InfOSport.mk

Leave a Reply