Shkupi barazon me Prishtinën në “Fadil Vokrri”

FC Shkupi e ka mbyllur me barazim 0:0 kontrolluesen e parë ndaj Prishtinës të zhvilluar pasditën e së shtunës në stadiumin “Fadil Vokrri”.Fillimi i ndeshjes solli matje të forcave nga të dyja anët, ndërsa më pas kapiteni i Shkupit, Muharem Bajrami kishte tentimin e parë, por nuk rrezikoi portën e Prishtinës. Skuadra nga kryeqyteti i Kosovës u kundërpërgjigjë në minutat 18-të dhe 19-të kur pati dy raste, përderisa në të 39-të skuadrën nga Çairi e shpëtoi tranversa, kur Korenica goditi fortë nga distanca. Gjithsesi 45-të minutat e para u mbyllën me rrjeta të paprekura dhe në pushim u shkua me barazim 0:0.

Pjesa e dytë nisi me katër zëvendësime në ekipin e Shkupit, kur trajneri Umit Karan nga loja largoi Musli Likën, Sabit Bilalin, Artan Veliun dhe portierin Tulio, ndërsa në fushë aktivizoi brazilianin Serzhinjo, Fati Ismailin, Bojan Georgievskin dhe Alban Miftarin. Rastin e parë në pjesën e dytë Shkupi e kishte në të 52-tën, kur nga jashtë zona tentoi Krivanjeva, por vetëm deri në duart e portierit Muqiqi.

Në të 60-tën, përforcimi i fundit Stojanovski lëshoi fushën, ndërsa në vend të tij u inkuadrua Ramani. Në të 69-tën kishim rast ideal për të shkuar në epërsi, kur pas një gabimi të portierit të Prishtinës, Bajrami tentoi nga gjysma e fushës, por topi u ndal vetëm mbi portë. Në të 72-tën, Prishtina ishte afër golit, me Jonuzajn që parabaloi Miftarin, ndërsa në vijën e portës shpëtoi Ismaili. 13 minuta para fundit, trajneri Karan vendosi që të riun Rexhepi ta inkuadrojë në lojë në vend të mbrojtësit Adili. Gjithsesi rezultati deri në fund nuk ndryshoi, me të dyja ekipet që regjistruan edhe disa raste, por pa patur finalizim.

Takimin e radhës kontrollues Shkupi do ta luaj me Gostivarin në transfertë me 31 korrik.

Leave a Reply