Futsal Shkupi e nisi me “manita” aventurën  europiane

Futsal Shkupi e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën europiane, teksa sonte në palestrën “Kale” me rezultatin 5:0 mundi kampionët e Uellsit, Kardif University, njofton “infOSport.mk”.

Në një atmosferë impozante të krijuar në palestër nga ana e tifo grupit “Shvercerat”, por edhe gjithë publikut të pranishëm, “bardhekaltërit” nga Çairi kishin dominim absolut ndaj kundërshtarit të tyre, që në fund duhet të jenë i kënaqur që pranuan vetëm 5 gola.

Golin e parë për Futsal Shkupin e realizoi përforcimi i merkatos së verës, Ferid Agushi (9’44’), ndërsa Ismet Ceka pas 12 minutave e 14 sekondave lojë dyfishoi epërsinë e skuadrës kampione të vendit në 2:0.

Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa vetëm pas 3 minutave lojë në pjesën e dytë, Aleksandar Gligorov realizoi edhe golin e tretë në rrjetën e mysafirëve. Megjithatë këtu nuk u ndalën “bardhekaltërit”, të cilët në minutën e 27-të shënuan edhe golin e katërt me anë të Nikolla Dimovskit, teksa rezultatin përfundimtarë, Futsal Shkupi 5, Kardif University 0, e vendosi Ismet Ceka 10 minuta para fundit të takimit.

Me këtë fitore Futsal Shkupi merr kryesimin në grupin paraeliminatorë “B” të Ligës së Kampionëve, duke lënë pas vetes skuadrën letoneze të Lokomotiv Duagavpils, që në takimin e parë të zhvilluar më herët po në palestrën “Kale” mundi ekipin e Encamp nga Andorra (7:3).

Pikërisht këta të fundit nesër mbrëma (20:00) do të jenë kundërshtari i rradhës së Futsal Shkupit, që shihet si favoritë, kjo edhe për faktin se po luan para publilkut vendas, që sonte duhet pranuar se ishte lojtari i 6-të i tyre.

Leave a Reply