Risi në Saraj, themelohet ekipi i femrave në futboll

Në kuadër të Shkollës së Futbollit Saraj dhe me mbështetje të pa-rezervë edhe të firmës “Valmir Kompani” është formuar edhe ekipi i femrave.

Trajneri Valdet Shabani me këtë rast theksoi rëndësinë e zhvillimit të futbollit të femrave dhe sensibilizimit të vajzave për t’u marrë me këtë sport.

Sipas tij ishte momenti i fundit që edhe në Komunën e Sarajit të formohet një ekip i futbollit për femra, meqë siç u shpreh ai ka shumë vajza të reja të cilat kanë talent dhe kanë shfaqur dëshirë që të kyçen në këtë sport.

“Ishte momenti i fundit që në territorin e Komunës së Sarajit të krijohet ekipi i futbollit për femra. Ndjehem shumë krenarë  që më në fund, me mbështetjen edhe të firmës së njohur “Valmir Kompani”, ne ia arritëm qëllimit tonë. Siç e shihni edhe ju, numri i vajzave për momentin arrin diku 15, por shpresojmë se do rritet edhe më shumë”, – u shpreh trajneri Valdet Shabani, i cili njëherit ju bën thirrje të gjitha vajzave të interesuara të kyçen në këtë sport, të mos hamenden por të drejtohen tek  Klubi i Futbollit për Femra-Saraj, sepse dyert e këtij klubi do të jenë të hapura për të gjitha vajzat, nga të gjitha trevat.

“Të gjitha vajzat e interesuara te paraqiten për të bërë regjistrimin në ekip.  Është e mirëpritur çdo vajzë që ka dëshirë të bëhet pjesë e futbollit për femra”, – theksoi trajneri, Valdet Shabani.

Ndërsa pronari i  kompanisë “Valmir Kompani”, z. Xhemil Shabani u shpreh se sporti ka një rol dhe  ndikim shumë të rëndësishëm tek shëndeti  i njeriut, posaçërisht tek gjeneratat e reja sepse ndikon dukshëm  në edukimin e tyre fizik dhe mendor.

“Përmes sportit do të mundohemi që rininë tonë ta edukojmë në rrugë të drejtë dhe ta mbajmë larg dukurive devijante në shoqëri. Andaj pa hezitim unë si pronar i “Valmir Kompani” me plotë dëshirë dhe  vullnet do të qëndroj pas këtyre “futbollisteve” të reja, të cilave u dëshiroj së pari shumë shëndet dhe më pas edhe shumë fat në futboll”, – deklaroi Xhemil Shabani, biznesmen.

Leave a Reply