Një ish kampion Bote gati të marrë drejtimin e Breshës

Fabio Groso është kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Breshës. Këta të fundit gjatë ditës së djeshme edhe zyrtarisht u ndanë me trajnerin e tyre të deritanishëm, Euxhenio Korini dhe tashmë janë në kërkim të zëvendësuesit të tij.

Emërimi i Grosos ende nuk është zyrtarë, mirëpo sipas mediave italiane i njëjti pritet që të marrë shumë shpejtë drejtimin e Breshës.

Në ndërkohë Groso është dakorduar me presidentin e Veronës, Mauricio Seti për të ndërprerë kontratën me pëlqim të dyanshëm. Kontrata e tij me skuadrën e Veronës ishte ende në fuqi, pavarësisht se Groso ishte shkarkuar që në muajin maj.

Fillimisht si kandidatë për të zëvendësuar Korinin përmendeshin emrat e Çezare Prandellit dhe Davide Nikolla, mirëpo si duket nga klubi kanë vlerësuar se për momentin 41-vjeçari Groso është zgjidhja më e mirë, edhe pse i njëjti në karrierën e tij si trajner nuk ka udhëhequr asnjë skuadër nga “Serie A”.

Bresha aktualisht ndodhet në pozitën e parafundit në klasifikimin e “Serie A”, ku në 10 ndeshje ka tubuar vetëm 7 pikë. Duhet theksuar se ata kanë edhe një ndeshje më pak, atë kundër Sasuolos.

Leave a Reply