Ndërpritet ndeshja e futsalit, Astibo-Futsal Shkupi! Njëri prej tifozëve vendas sulmoi verbalisht lojtarët e Shkupit

Ndeshja e javës së 10-të në elitën e futsalit vendor midis ekipit vendas të Astibos dhe Futsal Shkupit nuk priti fundin e saj, njofton “infOSport.mk”.

Në momentet kur skuadra “bardheblu” nga Çairi po avansonte me rezultatin 3:2, tifozët vendas “Falanga” në fillimin e pjesës së dytë ndezën flakadane, duke pamundësuar zhvillimin e ndeshjes.

Për më tepër njëri prej tifozëve vendas zbriti poshtë në paket, duke i prirë ndezjes së flakadaneve, ndërsa i njëjti më pas sulmoi verbalisht lojtarët dhe kryesinë e Futsal Shkupit, gjë kjo që shkaktoi edhe ndërprerjen e këtij takimi.

Është ky një rast tjetër i shëmtuar nga ana e tifozëve maqedonas, pas atij të fundjavës së kaluar, kur tifozët e Vardarit, “Komitët” thuajse gjatë gjithë ndeshjes fyenin shqiptarët, ndërsa tashmë mbetet të presim edhe epilogun përfundimtarë nga ana e komisionit të garave në futsal pranë Federatës së Futbollit në vend.

Me shumë gjasa skuadra e Futsal Shkupit do të fitojë ndeshjen në tavolinë, mirëpo gjithashtu ekziston mundësia që të zhvillohet vetëm pjesa e dytë, kësaj rradhe pa praninë e publikut vendas, transmeton “infOSport.mk”.

Ndryshe sa i përket ndeshjes, vlen të theksohet se edhe përkundër presionit të vazhdueshëm nga ana e tifozëve vendas, të cilët nuk ndaluan së fyeri shqiptarët, lojtarët e Futsal Shkupit si luana të vërtetë dhanë më të mirën në parket, duke shënuar 3 gola në rrjetën e vendasve.

Falë golave të shënuar nga Aleksandar Gligorov dhe Ferid Agushi, Futsal Shkupi avansoi me rezultatin 2:0, ndërsa pak para fundit të pjesës së parë, Ismet Ceka bëri që Futsal Shkupi në pushim të shkojë me epërsi minimale 2:3.

Leave a Reply