Agjenti Adrian Aliaj flet për të ardhmen e Amir Rrahmanit!

Amir Rrahmani po zhvillon sezonin e tij të parë në “Serie A”, mirëpo që falë paraqitjeve të tij, kapiteni i përfaqësueses së Kosovës shumë shpejtë tërhoqi vëmendjen e skuadrave të mëdha italiane.

I ardhur gjatë verës te Verona nga rradhët e Dinamo Zagreb, Rrahmani shumë shpejtë u përshtat në Serie A, duke u bërë një nga shtyllat kryesore në mbrojtjen e skuadrës së tij, dhe njëkohësisht duke tërhequr vëmendjen e klubeve të rëndësishme, si Interi dhe Napoli.

Mirëpo cila do të jetë në realitet e ardhmja e mbrojtësit të talentuar shqiptarë, për “calciohellas.it”, ka folur agjenti i tij, Adrian Aliaj.

Si e komentoni stinorin vjeshtorë, pjesën e parë të sezonit?

“Ato gjëra që thashë për të gjatë verës, u konfirmuan. Tani të gjithë i dinë cilësitë e tij teknike dhe fizike, ai është një lojtar i plotë. Unë kurrë nuk kam pasur asnjë dyshim dhe ai po tregon se mund të luajë në nivele të larta. Konfirmimi erdhi edhe nga numrat: ishte lojtari që riktheu më shumë topa në pjesën e parë të sezonit”.

Trajneri Juriç është treguar pak i mërzitur nga zërat e shumtë që sillen në treg. Si po e përjeton futbollisti i juaj këtë moment?

“Unë jam 100% i sigurt se thashethemet nuk ndikuan në kokën e Amirit. Ai bëri një gabim në ndeshjen kundër Romës, por në atë ndeshje ndikoi edhe fusha e rëndë. Më pas ai bëri një paraqitje të lartë kundër Atalantas. Të luash në këtë mënyrë është normale që të ketë një rënie, por jam i sigurt që thashethemet e gazetave nuk e kanë prekur atë. Arma më e rëndësishme e lojtarit është koka ”.

A ka mundësi që Rrahmani të  largohet nga Verona në janar?

“Absolutisht jo. Lojtari do të mbetet te Verona 100% deri në fund të sezonit. Kemi shumë respekt për Hellas Verona, skuadër kjo që i dha mundësinë lojtarit të vijë në Serie A dhe të bëhet një lojtar i rëndësishëm. Kjo nuk është koha për të ndërruar skuadër. Ne kemi marrëdhënie të mira me klubin dhe ai dëshiron të përfundojë sezonin këtu ku po kalon çaste shumë të mira. Nuk do të kishte kuptim të ndryshojmë skuadër tani.”

Leave a Reply