Roma blindon mesfushorin e saj me kontratë 4-vjeçare

Pas Aleksandar Kolarov, Roma sot ka vazhduar bashkëpunimin edhe me Brijan Kristante.

Në njoftimin e bërë thuhet se Kristante do të jetë pjesë e Romës deri më 30 qershor të vitit 2024. Mesfushori po luan sezonin e dytë me “verdhekuqtë” dhe i ka thënë po propozimit për të nënshkruar kontratën e re.

“Jam i lumtur që po rinovoj kontratën. Ky është vendi ku unë dua të jem dhe të vazhdoj të përmirësohem. Besoj në projektin që po ndërtohet këtu dhe mendoj se mund të jetë i suksesshëm”, u shpreh Kristante.

Te Roma ai u transferua në verën e vitit 2018 dhe numëron 54 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Mesfushori 24-vjeçar ka shënuar edhe 5 gola me fanellën e skuadrës kryeqytetase.

Më parë ai ka qenë pjesë e Milan, Peskara, Palermo dhe Atalanta në Serie A, ndërkohë që është aktivizuar edhe në Portugali te Benfika.

Leave a Reply