Shkupjani Elezi shënoi në miqësoren e Skënderbeut

Agon Elezi ka shënuar gol në fitoren 5:2 të Skënderbeut përballë Besëlidhjes, njofton “infOSport.mk”. Ishte kjo ndeshja e dytë miqësore e skuadrës korçare në prag të ndeshjeve të pjesës së dytë të kampionatit në Superligën shqiptare, aty ku Skënderbeu do të ketë shumë punë për të siguruar mbijetesën, duke pasur parasysh se stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e 8-të me 21 pikë.

Në ndeshjen e tyre të parë ata u mundën nga Egnatia me rezultatin minimal 1:0, ndërsa në ndeshjen e së shtunës dolën të jenë superiore përballë skuadrës lezhjane, që është një ndër skuadrat pretendente për inkuadrim në mesin e më të mirëve në futbollin shqiptarë.

Ndryshe 18-vjeçari Elezi, i cili në lojë u inkuadrua nga bankina, realizoi golin e fundit për skuadrën korçare në këtë ndeshje, kur edhe vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Skënderbeu 5, Besëlidhja 2.

Dy gola të tjerë për “ujqërit” shënoi Krasniqi, ndërsa nga një gol tjetër realizuan edhe Gripshi dhe Mara, transmeton “infOSport.mk”.

Te Skënderbeu në këtë ndeshje si titullarë u paraqit edhe Artim Pollozhani, si dhe Gjelbrim Taipi, dy ish futbollistë këta të Shkëndijës.

Pjesa e dytë e kampionatit shqiptarë nis me 22 janar, ndërsa Skënderbeu i Elezit dhe Pollozhanit, ndeshjen e parë do ta zhvillojë në shtëpi ndaj kampionëve në fuqi të Partizanit.

Leave a Reply