Bojku: Ndaj Gjilanit luajmë për rezultat pozitiv

Feronikeli nesër në kuadër të javës së 21-të në Superligën e Kosovës do të përballet me Gjilanin.

Para kësaj sfide të rëndësishme për faqen e skuadrës nga Drenasi ka folur edhe mesfushori strugan, Besmir Bojku, i cili te Feronikeli po luan në formë huazimi nga rradhët e Shkëndijës së Tetovës.

Bojku e cilësoi si ndeshje tejet të vështirë përballjen ndaj skuadrës së Muhamed Useinit, duke potencuar njëkohësisht se si në çdo ndeshje tjetër, edhe në këtë do të futen për rezultat pozitiv.

Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, padyshim. Gjilani për dallim nga ndeshjet e fillimit të sezonit, tani duket që është rikthyer dhe e ka rimarrë veten. Sidoqoftë, duhet ta kujtojmë që ne jemi kampionët në fuqi dhe kjo fanellë që mbajmë, na bën që të hyjmë në çdo takim për rezultat pozitiv”, tha Bojku.

Kjo përballje zhvillohet në stadiumin e qytetit në Gjilan, dhe fillon nga ora 13:00.

Leave a Reply