“I shtrenjtë edhe për Bazelin”, sulmuesi që ëndërron Kosova është emri më i kërkuar në Zvicër

Andi Zeqiri është kthyer në një nga emrat më të ndjekur në futbollin zviceran edhe pse luan në kategorinë e dytë në kampionatin e këtij vendi. Djaloshi i cili në karrierën e tij ka qenë pjesë edhe e akademisë së Juventusit, po shkëlqen me Lozanën, me të cilën po shënon me rregullsi mbresëlënëse.

Mendohej se Bazeli ishte gati të blinte kartonin e tij pasi kishte paraprakisht një akord me menaxherin e sulmuesit, të cilin e kishte takuar fshehurazi në fundin e vitit të kaluar. Por mediat zvicerane tani insistojnë se çmimi që Lozana i ka vënë kartonit të Zeqirit është shumë i lartë edhe për Bazelin, që është një ndër klubet më të pasur në vend.

Vlera e tij e merkatos është mes 5 dhe 10 milionë frangave zvicerane dhe kjo ka bërë të zbehet interesi i Bazelit. Nga ana tjetër, Lozana ka një kontratë deri në qershor 2021 me djaloshin dhe i ka propozuar atij një rinovim nga i cili do të përfitonte shumë financiarisht, pasi klubi ka kaluar në pronësi të një korporate shumë të fuqishme. Ndaj nuk është çudi që Zeqiri të vendosë të rinovojë në klubin ku hyri në histori si futbollisti më i ri që luante për ekipin e parë.

Ndërkaq, Kosova vazhdon të mbajë kontakte me të, me shpresën që ta bindë që të braktisë Zvicrën, fanellën e të cilës vesh me U21, për të mbajtur mbi shtpatulla atë të “Dardanëve” në të ardhmen. (vipsport.al)

Leave a Reply