Kampioni i Kosovës në futboll mund të shpallet edhe përmes formatit të “play-off”!?

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka thënë se ai shpreson që kampionati në “Ipko Superligën” e Kosovës do të kthehet kah gjysmja e muajit prill, teksa ka thënë se kampioni i ligës mund të shpallet edhe përmes formatit të ndeshjeve të “play-off”.

Shkaku i krizës së koronavirusit që e ka goditur të gjithë botën e futbollit, edhe ligat më të mëdha të futbollit janë pezulluar, ndërsa një hap të tillë e ka ndjekur edhe Ipko Superliga e Kosovës, transmeton “Gazeta Express”, përcjellë “infOSport.mk”.

Ndeshjet e fundjavës së kaluar fillimisht ishin planifikuar të zhvilloheshin pa tifozë, mirëpo më vonë, pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus, u mor vendimi që ndeshjet të pezulloheshin dhe ende nuk dihet se kur mund të rinisë kampionati sërish, por UEFA e ka caktuar si datë të përfundimit 21 qershorin.

Përderisa ende nuk dihet se kur do të rifillojë kampionati sigurt për shkak se nuk dihet si do të shkojë kriza aktuale me virusin “Covid-19”, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se shpreson që liga të kthehet rreth gjysmës së prillit.

“Ne duhet ta përfundojmë rreth datës 21 qershor, mendoj se do të ishte e arsyeshme të rifillojë kampionati rreth mesit të prillit, por me të vërtetë nuk mund ta parashikojmë. Për mua do të ishte mrekulli të fillojmë në mesin e prillit”, – ka thënë Salihu në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

Më tutje, Salihu ka thënë se FFK-ja i ka disa alternativa për mbylljen e këtij sezoni, përfshirë këtu zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë, apo ndryshimin e formatit të ligës për pjesën e mbetur të sezonit duke praktuikuar formatin e ndeshjeve me “play-off” dhe “play-out”.

Kujtojmë Ballkani nga Suhareka pas 22 xhirove të zhvilluara në Superligën e Kosovës, kryeson renditjen me 44 pikë, vetëm një më shumë se Drita e Gjilanit, që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Ardian Nuhiu.

Leave a Reply