Prishtina ja bënë 8:1 Ferizajit, ish futbollisti i Shkëndijës realizon “hat-trik”

Prishtina është treguar shumë e pamëshirshme ndaj Ferizajit në ndeshjen e fundit të javës së 23-të në Superligën e Kosovës, duke e përcjellë këtë skuadër për në shtëpi me 8 gola.

Fillimi nuk paralajmëroi një fund të tillë, pasi pas golit të Prishtinës të shënuar nga ana e Meriton Korenicës në minutën e 9-të, Ferizaji u kundërpërgjigjë shumë shpejtë, teksa në të 17-tën Altin Ibrahimi barazoi shifrat në 1:1.

Ky rezultat ishte aktiv deri në minutën e 30-të, atëherë kur në skenë te Prishtina doli sulmuesi Ahmed Januzaj, i cili duke shfrytëzuar pasimin e Armend Thaqit shënoi për 2:1.

Vetëm pas dy minutave lojë në pjesën e dytë, Prishtina me anë të Diar Miftarajt për herë të parë në këtë ndeshje krijoi një epërsi prej dy golash, që në minutat në vazhdim vetëm sa rritej, ndërsa i disponuar për gola ishte Meriton Korenica, ish futbollisti i Shkëndijës, i cili fillimisht në minutën e 47-të dhe më pas në të 58-tën shënoi dy gola të njëpasnjëshëm, duke rrumbullaksuar “hat-trikun” e tij në këtë takim.

Endrit Krasniqi në minutën e 65-të nga penaltia shënoi për 6:1, ndërsa dy golat e fundit për skuadrën nga kryeqendra kosovare i realizuan Oto Xhon (69’) dhe Kreshnik Uka (78’), transmeton “infOSport.mk”.

Ishte kjo fitorja e 13-të dhe njëherit më e thella për Prishtinën këtë edicion, që tashmë me 44 pikë renditet në pozitën e tretë, tashmë me gjasa reale edhe për titullin e kampionit, duke pasur parasysh se skuadra e parë në tabelë, Drita, ka 46 pikë, derisa mes tyre ndodhet Ballkani me 45 pikë.

Leave a Reply